EKSPLORO TIRANEN
Parku i Liqenit
Parku i Madh i Liqenit Artificial përbën masivin më të madh të gjelbërimit në qytetin e Tiranës. Nga pikëpamja funksionale zgjidh deri në një farë mase nevojat e popullsisë për pushim dhe argëtim, lëvizje të lirë dhe vrapime në natyrë për të gjitha moshat. Sipërfaqja e Parkut të Madh përbëhet nga një masiv kodrinor me shpate me pjerrësi të vogël.
Në pjesën jugore formohet pasqyra ujore e Liqenit Artificial që me shtrirjen e tij krijon gjire e gadishuj të vegjël shumë piktoreske. Parku i Madh i Liqenit filloi të ndërtohet në vitet 50-të. Në vitin 1955 u krijua liqeni artificial nga ujërat përreth si dhe u ndërtua me punë vullnetare një digë 400 m e gjatë e cila i pengon ujërat të vërshojnë drejt Tiranës.
Parku i Madh quhet ndryshe edhe mushkëria e qytetit për shkak të bimëve të shumta, mbi 120 lloje pemësh, shkurresh dhe lulesh. Në Park ndodhen dhe disa lloje shpendësh si: Bilbili gushëkuq, Bilbili këngëtar, Bufi, Harabeli i gurëve, Shapka e vogël e ujit, Dallëndyshja e zakonshme, Gardalina, etj.
Parku i Liqenit mbetet një nga destinacionet më të frekuentuar të fundjavës! Shëtitje në natyrë, lojëra në këndin e fëmijëve, hapësirë për të lexuar,lojërat për të rritur në fushat shumësportëshe, dhe shumë mundësi të tjera për tu kënaqur gjenden pikërisht këtu. Liqeni ofron peizazhe tejet tërheqëse.